Pikat Turistike - Turizmi | Drejtoria e Turizmit ne Prizren

Pikat Turistike

Në hartën e prezentuar mëposhtë, mund të gjeni pikat kryesore turistike në Komunën e Prizrenit dhe me një përshkrim të shkurtër rreth secilës pikë turistike

Map

MIRË SE ERDHËT NË PRIZREN

Kosova ka shumë bukuri, mirëpo ndër qytetet më të bukura është Prizreni. Ky qytet Zotëron shumë objekte historike dhe fetare, por veçohet me mikpritjen e tij. Historikisht ky qytet është vendtakimi i kulturave të ndryshme dhe vend i tolerancës fetare.

Xhamia e Sinan Pashës

U ndërtua në vitin 1615 nga Sinan Pasha. Brendia e xhamisë është hapësirë unike, me kupolë të pikturuar me motive florale e gjeometrike në tri faza. Dy fazat e para të pikturave murale janë të shek. XVI-XVII, punuar me teknikën al seko, kurse faza e tretë i takon shek. XIX, punuar në stilin barok, ku mbizotërojnë motivet me ngjyrë të kaltër. Pranë shkallëve të xhamisë, në anën e djathtë të hyrjes, gjendet një çezme guri e dekoruar për abdes (ritual fetar), por shfrytëzohet edhe nga qytetarët për pije. Konsiderohet si xhami unike, me arkitekturë origjinale dhe e përshtatur me nënqiellin e Prizrenit.

Kisha e Shën Spasit

Kisha e Shën Spasit ndodhet në Zonën Historike të qytetit, respektivisht në pjesën juglindore të Nënkalasë. Kjo kishë si pronë e Mladen Vladojeviqit dhe nënës së tij, e cila është ndërtuar mes viteve 1333-1335, ndërsa në vitin 1348 i dhurohet Manastirit të Kryeengjëjve. Në pjesën e dytë të shek XVIII komuniteti i Cincarëve (Vllah) të Prizrenit e fitoi të drejtën e shfrytëzimit të kishës për nevojat e veta. Duke u bazuar në format dhe teknikën e ndërtimit monumenti i përket kishave të gjysmës së parë të shek XIV. Në vitet 1953-63 është bërë konservimi i kishës. Ndërsa gjatë viteve 2010 - 2011 nga ana e UNESCO-s është bërë restaurimi i kishës, me ç'rast janë restauruar strukturat e mureve, kulmi dhe enterieri.

Kalaja e Prizrenit

Nën muret e sotme të saj ruhen shtresa kulturore parahistorike, romake dhe të Antikitetit të Vonë, çka e lë të kuptohet se është e vjetër rreth 2000 vjet. Kalaja tani ruan në vete muret masive dhe ambientet e ndryshme banimi që i takojnë fazave më të vona siç janë ajo mesjetare, osmane. Me një punë sistematike të hulumtimit, konservimit dhe restaurimit, ajo do të kthehet në një muze të hapur arkeologjik dhe në një pikë shumë të rëndësishme të turizmit kulturor të Prizrenit dhe të Kosovës.

Kisha e Shën Gjorgje Runoviqit

Gjendet në sheshin Shatërvan, në oborrin e Kishës Sinodale të Shën Gjergjit. Është ndërtuar në fund të shek. XV-të fillim të shek. XVI, nga ana e vëllezërve Runoviq, kushtuar Shën Gjergjit. Objekti i takon llojit të kishave familjare të Mesjetës, me bazë drejtkëndëshe me absidë dhe ka qenë me tri anijata, kurse sot ajo është njëanijatëshe. Së fundmi janë zbuluar edhe pjesa e narteksit, varrezat përreth kishës dhe varret e vëllezërve Runoviq. Në anën jugperëndimore të objektit gjendet varri i Mitropolit Mihajllo (1733- 1818). Brenda kishës dallohen edhe afresket që datojnë nga shek. XVII.

Kisha Katolike Zoja Ndihmëtare

Gjendet ne jugperëndim të qendrës urbane të qytetit, te Qafa e Pazarit. Objektin me elemente të arkitekturës greko-romake, në vitin 1870 e ndërton arqipeshkvi Dario Bucciareli në themelet e kishës së dikurshme, kurse më vonë Toma Glasnoviqi ngriti kambanën dhe vendosi orën.

SAHAT KULLA & MUZEU ARKEOLOGJIK

Muzeu Arkeologjik (Sahat Kulla) është vendosur në hapësirat e hamamit, të ndërtuar në fund të shekullit XV, respektivisht në vitin 1498. E veçanta e këtij objekti është se në kuadër të hamamit është ndërtuar Sahat Kulla, dy objekte që fare nuk kanë lidhshmëri funksionale mes veti dhe paraqet një rast unik për shkak të një gërshetimi të tillë.

KOMPLEKSI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Këtu, më 10 qershor 1878, është mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e organizuar nga intelektualët shqiptarë të kohës, si nevojë e mbrojtjes së tokave shqiptare dhe formimit të një shteti autonom shqiptar. Ky kompleks është formuar me ndërtimin e Xhamisë së Gazi Mehmed Pashës, ku pastaj rreth saj janë ndërtuar edhe objekte tjera si ndërtesa e Lidhjes, medreseja, tyrbja, biblioteka dhe objektet e banimit. Më 1978 kompleksi shndërrohet në Muze të Lidhjes së Prizrenit.

Kisha e Levishës

Gjendet në Zonën Historike të Prizrenit. U rindërtua me urdhrin e mbretit Millutin, më 1306/7. Kjo kishë është i vetmi monument në qytet që hyri në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik të UNESCO-s në vitin 2006.

Kompleksi i Marash Mahallës

Në anën e majtë të Lumëbardhit, rrëzë Kalasë, në pjesën lindore të Prizrenit, gjendet Kompleksi urban “Marash”. Në gjuhën arabe “Marash” d.m.th. vend freskimi. Ky kompleks është i pasur me burimet nëntokësore të ujërave, dhe gurgullimat e ujërave të Lumëbardhit. Krahas transformimeve të bëra gjatë viteve, me pasuritë e trashëgimisë natyrore dhe kulturore dhe pozitën e volitshme, Kompleksi i Marashit paraqet një lokalitet me rëndësi të madhe për qytetin.

Kroi i Binbashit

Prizreni është i njohur për numrin e konsiderueshëm të krojeve publike. Kroi Binbashit gjendet në perëndim të zonës historike të Prizrenit, pranë xhamisë "Iljaz Kuka" dhe ndërtesës së Beledijes. Kroi prej kohësh që është ndërtuar deri më sot shërben si krua publik i lagjes, për furnizim të banorëve dhe kalimtarëve me ujë të pijshëm. Kroi është punuar me gurë gëlqerorë të gdhendur në formë drejtkëndëshi.

Teqeja Halveti

Është themeluar në fund të shek. XVII, fillim shek. XVIII (1690-1713) nga Sheh Osman Baba në lagjen e Saraçhanes, shumë pranë xhamisë së Kukli Beut. Njihet edhe si teqeja e Sheh Hasanit. Në teqe gjenden, pos varrit të sheh Osman Babës edhe varret e shtatë pjesëtarëve tjerë të radhës Halveti. Kompleksin e teqesë e përbëjnë: teqja (me disa dhoma të veçanta), semahanja – salla e lutjes, tyrbet, ku janë varrosur udhëheqësit e teqes (shehlerët), oborri i shtruar me kalldrëm, me elementin e ujit që rrjedh nëpër dy kroje nga mermeri, shtëpia e banimit e Sheh Hasanit dhe ndërtesat afariste.

Hamami I Gazi Mehmed Pashës

I ndërtuar në vitin 1563-74, nga Gazi Mehmet Pasha, Sanxhakbej i Shkodrës. Në portën kryesore ka një pllakë me një mbishkrim të vitit 1883, që tregon datën e restaurimit të hamamit nga Mahmut Pashë Rrotulli, mytesarif i sanxhakut të Prizrenit. Së bashku me Hamamin e Daut Pashës në Shkup dhe Hamamin e Gazi Nusret Beut në Sarajevë janë ndër objektet më të suksesshme të arkitekturës osmane në Ballkan. Hamami i Gazi Mehmet Pashës është i llojit “çifte hamam” – i dyfishtë, ka dy pjesë dhe është përdorur nga të dy gjinitë në të njëjtën kohë, me hyrje të veçanta dhe të ndarë.

Xhamia e Gazi Mehmed Pashës

Gazi Mehmet Pasha ndërtoi kompleksin me xhaminë, tyrben, medresenë, bibliotekën, mësonjëtoren dhe objektet tjera përcjellëse gjatë viteve 1563-74. Kompleksi lidhet me Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ka planimetri katrore me hajat të theksuar në të tri anët, ndërsa hapësira qendrore e lutjeve mbulohet me një kupolë impozante. Pjesa e hajatit mbulohet me kulm treujorë të mbështetur në shtylla druri. Kupola, gjithashtu është e dekoruar me piktura murale me motive gjeometrike dhe florale. Minarja është 40 m e lartë. Është ndër xhamitë më të mëdha të Prizrenit. 

KABASH - KORISHË

Komuna e Prizreni ka bërë implementime të shumë projekteve. Ndër to është edhe projekti në fshatin Kabash – Korishë. Bukuritë e Prizrenit nuk kufizohen vetëm në qytet, por edhe në rajonin përreth. Një bukuri e rrallë natyrore është edhe ajo në fshatin Korishë, përkatësisht në ujëvara dhe kalanë e këtij fshati. 

Ura e Suzi Celebisë

Njihet edhe si Ura e Tabakhanes, sepse ishte në lagjen e zanatlinjve që merreshin me përpunimin e lëkurës, dhe lidhte kom - pleksin e tabakëve. U ndërtua në vitin 1513 nga Suzi Çelebiu. Kishte tri harqe, një të madh në mes e dy të vegjël anash. Trase - ja e urës ishte e shtruar me kalldrëm turk, kurse muret anësore ishin ndërtuar nga gurë të punuar e të përforcuar me shufra hekuri. Me mbylljen e harqeve nga mbe - turinat harku i madh dhe një hark i vogël u rrënuan nga vërshimet. U rindërtua pas vitit 2000, por cilësohet si një rindërtim pa vlera.

Ura e Beledijes

Beledija është ndërtesa e parë e Kuvendit Komunal të Prizrenit e ndërtuar në fund të shek. XIX-të. Urën pranë saj populli e quan Ura e Beledijes. Beledija është dëshmia më e mirë e kulturës politike dhe administrative të Prizrenit, ndërsa sot ndërtesa shërben si qendër burimore dhe trajnuese për trashëgiminë kulturore.

Ura e Rinise

Ura e Rinise

Ura e Lanetit

Ura e Lanetit është një ndër urat më të përmendura dhe me e veçant e Prizrenit. Ura e cila është me skajore me ngjyrë të kaltër cilësohet edhe si urë e dashurisë, pasiqë çdo vizitorë dhe çiftë kanë mbyllur me qelësa drynin e dashurisë së tyre. Sipas kësaj tradite kjo urë tani shquhet edhe si ura e dashurisë.

Ura e Gurit

Lidh drejtpërsëdrejti sheshin Shatërvan me rrugën e vjetër të Saraçhanës. Në bazë të materialit dhe strukturës së ndërtimit, supozohet se ura është ndërtuar në shek. XVI. Ura e vjetër është e ndërtuar me gurë cilësorë të përpunuar dhe të lidhur me llaç gëlqeror. Anët janë të përforcuar me shufra hekuri, të ngulitura në vrima të gurëve. Ka tri harqe: harku i mesëm është më i madh, kurse harqet anësore më të vogla. Gjatësia e urës së dikurshme ishte përafërsisht 30 m, ndërkaq sot ura është 17 m. Gjatë periudhave të ndryshme kohore, ura ka pësuar ndryshime të mëdha.

Ura e Therandes

Ura e Therandes

Ura e Lidhjes

Ura e Lidhjes

DokuKino

DokuKino

Kino Lumbardhi

Kino Lumbardhi është hapur në vitin 1952 dhe ka funksionuar si kinema deri në vitin 1999. Karakterizuar me sallën e mbyllur dhe kinemanë verore, Lumbardhi kishte një kapacitet prej mbi 1,200 ulësesh dhe pranonte mbi 300,000 vizitorë në vit për dekada të tëra. Me repertor të filmave jugosllav, western, indian e hollywoodian, kinemaja ka lidhur gjenerata të Prizrenasve me njëri-tjetrin dhe botën. Si një nga dy institucionet kulturore të qytetit, kinemaja ishte mikpritës i koncerteve, festivaleve dhe ngjarjeve të ndryshme shoqërore, përderisa nga viti 1986 ishte edhe nikoqir i Zambakut të Prizrenit. Pas luftës, kinemaja u identifikuar me festivalin e filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest që nisi më 2002 dhe dy iniciativat qytetare për mbrojtjen e saj nga privatizimi dhe rrënimi me 2007 dhe 2014. Prej vitit 2015, Kino Lumbardhi gëzon statusin e mbrojtjes si monument i trashëgimisë kulturore dhe funksionon si institucion i pavarur kulturor. 

Nashec

Nasheci është një fshat në komunën e Prizrenit. Pas vitit 1999 fshati është i njohur edhe me emrin Syzi. Edhe pse germimet nuk kane perfunduar ende, thuhet qe ky lokalitet daton nga koha e bronzit  dhe ka një rëndësi dhe vlerë të madhe historike për Prizrenin.

Ujevara e Kabashe Korishe

Ujevara e Kabashe Korishe

Gorozhup

Gorozhupi është një fshat në regjionin e Hasit, në komunën e Prizrenit. Pas vitit 1999 fshati është i njohur edhe me emrin Gurisht. Karakterizohet me prezencën e një mullini të njohur si Mullini i Sylejman Tanës, i cili në bazë të informatave të gjetura është ndërtuar në vitin 1854 dhe gjindet gjeografikisht buzë Drinit të Bardhë.

Zhupa

Zhupa

Pasha Qesme

Pasha Qesme

Jabllanice

Jabllanice

Shtepia Malore

Shtepia Malore

Vermica

Vërmicë është një fshat në komunën e Prizrenit. Vërmica është fshat turistik dhe si specialitet ka gatimin e peshkut dhe përbrenda tij ka shumë restaurante për përgaditjen e peshkut. Paraqet një atraksion në vehte të turizmit ujor gjegjësisht atij të peshkimit dhe njëkohësisht atij të gastronomisë.

UJI GROPOSUR – “ KOPANAVODA”

Është një destinacion malor me lartësi mbidetare 1574 m dhe karakterizohet me vegjetacion të theksuar dhe me burime të bollshme ujore. Është një ndër destinacionet e preferuara të sportin e Hikingut për rajonin e Prizrenit. Në lokacionin ekzistues gjindet edhe një ndërtesë në të cilën turistët mund të gjejnë strehim. Me përmirësim të mëtejmë të infrastrukturës dhe kapaciteteve akomoduese, ky lokacion i ka të gjitha premisat të shëndrrohet në një destinacion atraktiv turistik, si për sportin e hikingut poashtu edhe për stacionim dhe kamping të vizitorëve.

Kërëk xhamia –Namazxhah

Është ndër objektet më të vjetra të besimit mysliman në Kosovë. Nga persishtja, Namazxhah do të thotë: vend i lutjeve. Pas rënies së Prizrenit nën sundimin e Perandorisë Osmane më 1455, Isa Beu ndërtoi Namazxhahun, vend që shërbeu për kryerjen e ritualeve fetare të ushtrisë Osmane. Pas vendosjes së plotë të administrimit Osman në Prizren, Namazxhahu lihet pas dore pasi që në atë kohë filluan të ndërtohen xhamitë e zakonshme. Më vonë atë e shfrytëzonin për falje bujqit që punonin tokat e tyre aty afër. Ndryshe njihet edhe si Kërëk Xhamia, që në do të thotë Xhami e hyer. U restaurua në vitin 2002.

Reqan

Reçanë është një nga mjediset e njohura dhe të preferuara për fundjavë nga qytetarët e Prizrenit dhe të vendeve tjera të Kosovës dhe Shqipërisë .Fshati Reqanë, i populluar me boshnjakë dhe goranë, ofron specialitete të ndryshme dhe mjaft të shijshme mishi dhe peshku. Malet shkëmborë të Reqanës arrijnë lartësinë në një distancë njëkilometërshe, të krijojnë përshtypjen e mbulimit të qiellit dhe futjes në një realitet tjetër natyror, të mbuluar me shkëmbinj dhe gurë. Përgjatë rrugës deri në Prizren gjinden 13 shpella në lartësi prej 960 metrash, të cilat janë përdorur për strehim nga murgjit dhe janë dekoruar me afreska. Lumëbardhi është shoqëruesi besnik i gjithë rrugëtimit përgjatë rrugës deri në Prizren, duke qenë e vetmja thyerje e monotonisë dhe qetësisë absolute në vende të caktuara.

Kroi i Shatërvanit

Në Zonën Historike të Prizrenit, në afërsi të xhamisë “Sinan Pasha” gjendet Kroi i Shatërvanit. Supozohet se është ndërtuar në shek. XVII (pas ndërtimit të xhamisë “Sinan Pasha”. Kroi i Shatërvanit ndodhet në mes të Sheshit Shatërvani, dhe me pozitën karakteristike, me formën dhe me dekorimet, paraqet njërin prej simboleve të qytetit dhe njëherësh edhe kroin më karakteristik të ruajtur deri në ditët e sotme.

Bazhdarhane

KISHA E SHËN PREMTËS

Ka 7 faza ndërtuese ose rindërtuese: Tempull romak shek. II-III; Bazilika trianijatëshe e shek. V-VI; Bazilika mbi bazën e ndërtimit paraprak, shek. XI; Afresket e zbuluara si “Zonja me Krishtin e vogël” dhe “Dasma në Kanë”, shek. XIII; Rindërtimi të mbretit serb Milutin, shek. XIV; Shndërrimi i kishës në xhami, e cila u quajt Xhuma Xhamia, supozohet në shek. XV-XVI; Pushtimi i Prizrenit nga serbët në vitin 1912, rrënimi i minares, kthimi i kambanës dhe rikthimi në kishë. Është objekti i vetëm i trashëgimisë kulturore të Prizrenit nën mbrojtje të UNESCO-s.

Kisha e Nikollës së Shenjtë

Në lagjen Millaçiqi, në qendër të fshatit Sredskë, pranë shkollës fillore gjendet kisha kushtuar Shën Nikollës, e ndërtuar rreth vitit 1875. Kulmi është dy ujor, i mbuluar me pllaka të plumbit dhe llamarinës. Në fasadë të kishës gjenden disa hapje gjysmë-rrethore dhe nisha gjithashtu me hark gjysmë rrethor. Enterieri i kishës është i pasur me ikonostas të punuar në drugdhendje dhe ikona të shenjtërve.

Ndërtesa e Kuvendit të vjetër

Ndërtesa e Beledies - Kuvendit është ndërtuar në Lagjen Tabakhane në shekullin XIX dhe ka shërbyer si Komunë për autoritetet Osmane në Prizren.  Në vitet 2010/2011 me donacione nga Bashkimi Evropian - Zyra në Kosovë, bëhet restaurimi i tërësishëm i objektit me ç’rast objekti shndërrohet në Qendrën e parë Regjionale për Trashëgimi Kulturore në Ballkan. Krahas qendrës së trajnimeve, në këtë ndërtesë gjendet edhe Zyra Turistike e Informimit për qytetin e Prizrenit. Ndërtesa e Beledies paraqet një shembull unik të një ndërtese publike, administrative të ndërtuar gjatë shek. XIX dhe si e tillë ka vlerë të lartë historike, artistike dhe shoqërore.

XHAMIA E SUZI ÇELEBIUT

U ndërtua në vitin 1523, dhe është objekti i dytë më i hershëm islam në qytetin e Prizrenit dhe i pari arkitektonik komplet islam. Ka planimetri drejtkëndëshe me kulm katërujorë të mbuluar me tjegulla. Hajati i saj është ngritur mbi njëmbëdhjetë shtylla druri dhe mbulohet me kulm treujorë. Mbi shtyllat e drurit është i punuar kapiteli i dekoruar me forma harkore. Në oborr të xhamisë gjenden varrezat e vjetra të parisë myslimane të qytetit. Aty gjendet edhe tyrbja ku është varrosur edhe Suzi Çelebiu dhe vëllai i tij, Nehari in Abdullah; të dy njihen si ndër poetët e parë në Prizren.

Gërmadhat e kalasë së Korishës me kishen paleokristiane

Gërmimet arkeologjike të zhvilluara në vitin 2002 dhe 2004 në kodrën e kalasë së Korishës, e njohur me mikrotoponimin Gralishta. Gërmimet e para arkeologjike janë bërë në vitin 2002, me ç’rast është zbuluar kisha e periudhës Paleokristiane. Kalaja është ndërtuar në periudhën e antikitetit të vonë respektivisht në shek. V-VI, që e vërtetojnë edhe gërmimet e bëra në vitet 2002-2007.

MUZEU I HIDROELEKTRANËS (PRIZRENASJA)

Është ndërtuar më 1929 buzë Lumbardhit sipas projektit të një firme vjeneze. Është centrali i parë elektrik dhe muzeu i vetëm i elektroekonomisë së Kosovës. Punën e ndërpreu më 1.11.1973. Më 8.11.1979 u shndërrua në Muze të Elektroekonomisë së Kosovës. Përmban shumë materiale origjinale, dhe fotografi që pasqyrojnë zhvillimin e elektroekonomisë në Kosovë

Kapella e At Shtjefën Gjeçovit

Me iniciativën e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës dhe organeve kompetente të fshatit Zym, në vitet 1960-ta është ndërtuar kapella e At Shtjefën Gjeçovit në varrezat e fshatit. Kapela ka planimetri drejtkëndëshe me dimensione të vogla. Në pjesën veriore gjendet absida me bazë gjysmë rrethore. Hyrja në kapellë realizohet nëpërmjet derës nga druri, i punuar me hapje gjysmë rrethore, kah ana jugore.

Kisha e Shën Dielës - Dëftimi i Shën Mërisë

Ndodhet në Zonën Historike të Prizrenit. Rrënojat e këtij objekti, muret e absidës dhe muri jugor në lartësi 1,5 metra, janë zbuluar në vitin 1966, gjatë gjurmimeve arkeologjike. Gërmimet zbuluan fragmente guri, ku në njërin prej tyre është gjetur mbishkrimi i datës 1371. Rindërtimi i kishës është bërë më 1995-1997, bazuar në analogji dhe tipologji të objekteve fetare të kësaj kohe. Kisha ka formë drejtkëndëshe me një kupolë, e cila nga jashtë është tetëkëndëshe. Ka dimensione të vogla në krahasim me kishat tjera të Prizrenit.

Kisha e Shën Gjergjit në Sreckë

I takon Mesjetës së Vonë, përkatësisht shek. XVI. Është kishë me dimensione të vogla, njëanijatësh me absidë gjysmëharkore. Muret janë të ndërtuara me gurë lumi të lyer me baltë dhe të ngjyrosur me gëlqere. Pullazi është dyujorë, i mbuluar me tjegulla. Mbi derën hyrëse është nisha, në pjesën e epërme të së cilës në formë harkore është pikturuar Shën Gjergji në kalë. Në muret e brendshme ende gjenden të ruajtura afresket e shenjtërve.

KISHA E SHËN NIKOLLËS –TUTIQËVE

Është ndërtuar në vitin 1331 nga Dragosllav Tutiq (murgu Nikolla) dhe gruaja e tij Bella. Këtë e vërteton mbishkrimi në një gur në murin lindor të kishës. Kisha është një anijatëshe me përmasa të vogla, me planimetri drejtkëndëshe. Është ndërtuar me gurë në kombinim me tulla. Afresket e kësaj kishe janë të pakta dhe të fragmentuara, afresk pak më i ruajtur është ai ku paraqitet Shën Nikolla. I takon tipit të Kishave familjare, të stilit bizantin dhe është përdorur për nevojat e besimtareve që jetojnë përreth dhe afër kishës.

Kisha e Shën Nikollës në Bogoshevcë

Është ndërtuar mbi një plato tarracore që ka një terren të rrëpirë nga ana e lumit. Është njëanijatëshe, ka planimetri drejtkëndëshe dhe me absidë trefaqëshe në pjesën lindore. Tërë fasada është e pasuvatuar, ku shihet qartë struktura e mureve të jashtme. Enterieri i kishës është i pasur me afreske. Në pjesën hyrëse të kishës ndodhet një aneks mbi të cilën është ndërtuar kambanorja. Bazuar nga karakteristikat arkitekturore dhe afresket e pikturuara, kisha i takon fundit të shek. XVI, fillimit të shek. XVII.

Kisha e Shën Nikollës në Drajqiq

Kisha është e vogël, baza e objektit është drejtkëndëshe e ndërtuar me gurë. Gjysma e kishës nga jashtë është e suvatuar, ndërsa në gjysmën tjetër ende vërehen gurët. Më 1925 i është shtuar këmbanarja si aneks i veçantë. Afreskat që e pasurojnë enterierin janë punuar në një stil të veçantë dhe në bazë të tyre mendohet se kisha i takon dekadës së fundit të shek. XVI. Në hapësirën e brendshme janë vendosur edhe ikonat e pikturuara në dru. Gjatë periudhave të ndryshme kohore janë bërë disa restaurime në objekt, duke bërë ndryshimin e arkitekturës origjinale të saj.

Kisha e Shën Nikollës në Mushnikovë

Është ndërtuar mbi një plato tarracore që ka një terren të rrëpirë nga ana e lumit. Është njëanijatëshe, ka planimetri drejtkëndëshe dhe me absidë trefaqëshe në pjesën lindore. Tërë fasada është e pasuvatuar, ku shihet qartë struktura e mureve të jashtme. Enterieri i kishës është i pasur me afreske. Në pjesën hyrëse të kishës ndodhet një aneks mbi të cilën është ndërtuar kambanorja. Bazuar nga karakteristikat arkitekturore dhe afresket e pikturuara, kisha i takon fundit të shek. XVI, fillimit të shek. XVII.

Kisha e Shën Premtës në Mushnikovë

Në zanafillë i ishte dedikuar Shën Pjetrit dhe Shën Palit. Kjo dëshmohet edhe nga afresku i këtyre dy shenjtorëve, pikturuar në murin e jugor të enterierit të kishës. Është një objekt njëaniatësh me dimensione të vogla, me absidë të nxjerrë jashtë. Konstruksioni i brendshëm përbëhet nga qemerët gjysmërrethorë, kurse mbi të gjendet pullazi dyujorë i mbuluar nga rrasat. Bazuar në afresket e brendshme kisha është ndërtuar në vitet 1563-1564. Në vitin 1920 pranë objektit nga ana perëndimore ndërtohet kambanorja tetëkëndëshe.

Kompleksi i Karabashit

Përbëhet nga tri tyrbe. Tyrbja e Karabash Babës ndodhet në mes të tri tyrbeve, ajo është në formë gjashtëkëndëshe me pullaz konik. Tyrbja e sheh Hyseinit, pjesëtar i radhës Halveti, ndodhet në anën e majtë të tyrbes së Karabash Babës, u ndërtua më 1926. Është në formë katërkëndëshit kënddrejtë, me derë dhe dritare të drurit në formë harkore. Tyrbja e Vajzës ndodhet në anën e djathtë të Karabash Babës, nuk dihet koha e ndërtimit të saj. Ka formë katrore me përmasa të vogla, në të tri anët ka dritare të mëdha harkore, të mbuluara me parmakë hekuri.

Kompleksi i Teqesë Sinani

Kompleksi i Teqesë Sinani gjendet në pjesën jugperëndimore të Prizrenit, në Lagjen e Terzinjve. Teqeja e tarikatit Sinani është themeluar nga sheh Ali Efendi Rexhep Koro në vitin 1768.  Mbishkrimet janë punuar me një mjeshtëri të lartë artistike, në stilin “sulus” dhe “talik”. Si pasojë e mungesës së funksionit dhe mirëmbajtjes, kompleksi është në gjendje mjaft të vështirë fizike.

Lokaliteti Arkeologjik shumështresor në Vlashnjë

Në këtë lokalitet është dëshmuar vazhdimësia e jetës gjatë disa periudhave kohore si neolit i hershëm (kultura e Starçevës), neolit i vonë dhe i mesëm (kultura e Vinçës), eneolit (periudha e bakrit), periudha e bronzit, epoka e hekurit, periudha helenistike si dhe periudhat e antikitetit të vonë dhe të mesjetës së hershme.   

Lokaliteti i periudhës së bronzit të Korishës

Lokaliteti i periudhës së bronzit të Korishës, ishte hulumtuar gjatë vitit 2006 dhe kishte karakter të gërmim-shpëtimit. Gërmimet arkeologjike të zhvilluara në dy sektorë rezultuan me identifikimin dhe zbulimin e banesave dhe horizonteve të banimit që janë tipike dhe në aspektin kronologjik datohen në periudhën e bronzit të hershëm dhe bronzit të mesëm.

Manastiri i Kryeengjëjve

Ka një sipërfaqe prej 6500 m2. Manastiri u ndërtua në vitet 1343 – 1352 nga perandori serb Dushani. Dyshohet të jetë ndërtuar mbi gërmadhat e një vendbanimi më të lashtë. Me aq sa dihet, perandori serb Dushani u varros në kishën e rindërtuar të Kryeengjujve, në vitin 1355. Varri i Dushanit u zbulua në vitin 1927, por afër në këtë zonë u zbuluan edhe varre të tjera me të njëjtin konstruksion, njëri ndër ta kishte një pllakë në të cilën gjendej emri i Strazimir Ballshajt, sunduesit të Principatës së Shkodrës.

Minarja e Arasta xhamisë

U ndërtua nga Evrenos Jakup Beu më 1526 - 1538. Shfrytëzohej nga tregtarët për lutje. Xhamia e Arastës ka pasur funksionin burimor deri në vitin 1960, kur Qeveria e atëhershme e qytetit rrënoi kompleksin e Arastës, e bashkë me të edhe xhaminë. Nga rrënimi kishte shpëtuar vetëm minarja. Karakteristike për këtë minare është Ylli i Davidit i gdhendur në gur në trungun e saj. Nga gojëdhënat thuhet se është ndërtuar nga mjeshtër hebrenj dhe se Ylli i Davidit është identifikim i ndërtuesve

Mulliri në Tabakhane

Ka të gjitha elementet e një mulliri tradicional, ka hyrjen, vendin për kuaj, vendin për drithëra të pa bluara, vendin për drithëra të bluara, dhomën e mullixhisë, kanalin e ujit, etj. Ka formë drejtkëndëshe të ndërtuar me gurë lumi të lidhur me dhe, si dhe me çati druri të mbuluar me tjegulla tradicionale. Ruan pajisje dhe rekuizita origjinale të kohës. Procesi i bluarjes është tradicional, duke shfrytëzuar fuqinë e ujit për fërkimin e gurëve që bën bluarjen e drithërave.

Ndërtesa në rr. “Çlirimi i Popullit 40” e familjes Grazhdo

Është ndërtuar në shek. XVIII, ndërsa është rinovuar dhe adaptuar në shek. XIX-të në një hapësirë të madhe me objekte përcjellëse. Gjatë viteve (2010-2012) është bërë restaurimi i kulmit dhe i fasadës. Me formën karakteristike, ndarjen në dy pjesë, trajtimin e pasur artistik brenda dhe jashtë saj, elementet përcjellëse sikurse oborri i shtruar me kalldrëm dhe mutfaku, kjo ndërtesë paraqet një shembull të arkitekturës orientale të banimit

Ndërtesë banimi në rr. “Gani Çavdarbasha” nr. 17 - shtëpia e Shehzades

Është ndërtuar në shek. XVIII; përfaqëson kulmin e arkitekturës vernakulare. Secili kat ka nga dy dhoma. Në dhoma enterieri përbëhet nga dollapët, musëndrat e hamamxhikët, kurse në dhomat e mëdha janë edhe oxhaqet e hapura. Në përdhese gjendet edhe hajati, divanhanja e mbyllur, kuzhina e qilari. Në kat gjendet çardaku i mbyllur, oda e arkave dhe kthina për larjen e enëve. Tavani, dollapët dhe musëndrat janë të punuara me dru të gdhendur e të punuar me stilin gjyltavan, d.m.th në formë trëndafili.

Nishani i Suziut

Suzi efendiu në Prizren ka jetuar gjatë shek. XV. Në anën e majtë të Lumëbardhit ka ndërtuar një mezxhid (xhami pa minare), një shkollë me leximore (bibliotekë), një çezmë (krua) dhe një urë prej gurit. Kjo lagje quhet Lagjja e Suziut. Emri i poetit dhe historianit të famshëm është Muhamed-efendi i biri i Mahmudit i biri i Abdullahut me pseudonim “Poeti Suzi”

Saraç xhamia - Xhamia e Kukli Mehmed Beut

U ndërtua nga Kukli Mehmet begu në vitin 1534. U quajt Xhamia e Saraçhanës pasi është afër Çarshisë së dikurshme të Saraçhanës. Ka arkitekturë që dallon nga xhamitë tjera të Prizrenit, ngase ka vetëm një kupolë kryesore, e cila ishte e mbuluar me rrasa guri. Nga jashtë nuk është e suvatuar; materiali ndërtimor është me gurë lumorë me forma të parregullta të lidhur me llaç gëlqeror. Në këndin jugor, pranë fasadës ballore është ndërtuar minarja. Minarja ka bazë gjashtëkëndëshe, të punuar me gur të gdhendur, trung rrethor të suvatuar. Enterieri i xhamisë ka qenë i pasur me piktura murale.

Selamllëku i Shani Efendiut

Selamllëku i Shani Efendiut gjendet në zonën e qendrës historike të Prizrenit, në Lagjen Farkëtarët, me pjesën ballore të orientuar kah jugu. Pas Luftës së Dytë Botërore kaloi në pronësi të briskpunuesit Ali Shilik. Atij i shërbeu për banim, ndërkaq njëri prej dyqaneve në katin përdhese i shërbeu si dyqan i briskpunuesve. Sot selamllëku është i pabanuar, ndërkaq në katin përdhese dyqanet funksionojnë. Selamllëku me objektet përreth janë potencialë për zhvillim ekonomik, të turizmit, të trashëgimisë dhe të atij kulturor.

Shkolla e Mesme Ryzhdije

Shkolla e Mesme Ryzhdije gjendet në perëndim të Zonës Historike të Prizrenit, respektivisht pranë Kompleksit të Tabakhanës. Shkolla e Mesme Ryzhdije u hap në vitin 1874 dhe paraqet themelimin e arsimit të ri të mesëm në Prizren. Në aspektin historik dhe shoqëror, Shkolla e Mesme Ryzhdije paraqet një dëshmi të nivelit të lartë arsimor të zhvilluar gjatë shek. XIX.

Shtëpia e Adem-aga Gjonit

Është ndërtuar në shek. XVIII, me ardhjen e kësaj familje nga Ujmishi i Shqipërisë. Shtëpia është dykatëshe, me dhoma të mëdha në të dy katet dhe është e llojit simetrik me hajat në përdhese dhe çardak në katin e sipërm. Në përdhese gjenden dy dhoma, qilari dhe hajati, i cili ndahet në pjesën e jashtme dhe të brendshme. Në katin e sipërm shtëpia ka katër dhoma, dy të mëdha e dy të vogla dhe çardakun e mbyllur.

Shtëpia e familjes Arapi

Shtëpia e familjes Arapi gjendet në zonën e qendrës historike të Prizrenit, në Lagjen Saraçët, me pjesën ballore të orientuar kah jugu. Shtëpia është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe ka shërbyer për banim gjatë tërë kohës. Sot shtëpia ende është e banueshme.

Shtëpia e familjes Bërlajolli

Shtëpia e familjes Bërlajolli gjendet në pjesën perëndimore të qytetit, në Lagjen Saraji. Ajo është ndërtuar në shekullin XIX dhe ka shërbyer për banim gjatë tërë kohës.

Shtëpia e familjes Fishekçiu

Shtëpia e Hëzër Fishekçiut gjendet në Lagjen Bazhdarhane, me pjesën ballore të orientuar kah perëndimi. Shtëpia u ndërtua në fund të shekullit XIX, gjegjësisht në vitin 1888 dhe ka shërbyer për banim gjatë tërë kohës.

Shtëpia e familjes Myftiu

Shtëpia e familjes Myftiu gjendet në zonën e qendrës historike të Prizrenit, me pjesën ballore të orientuar kah lindja. Në kuadër të shtëpisë gjendet oborri, një shtëpi e vjetër, e cila dikur ka shërbyer për banimin e shërbëtorëve të familjes, ahuri dhe jazi. Shtëpia u ndërtua në shekullin XIX, gjegjësisht më 1859, dhe tërë kohën shërbeu për banim.

Shtëpia e familjes Paçarizi

Shtëpia e familjes Paçarizi gjendet në zonën e qendrës historike të Prizrenit, në Lagjen Saraçët dhe në Lagjen Farkëtarët, me pjesën ballore të orientuar kah veriu. Shtëpia është e ndërtuar rreth shekujve XVIII-XIX dhe ka shërbyer për banim, si dhe për funksion administrativ.

Shtëpia e familjes Rekathati

Shtëpia e familjes Rekathati gjendet në Lagjen Bazhdarhane, me pjesën ballore të orientuar kah jugu. Shtëpia është ndërtuar në fund të shekullit XIX, ndërsa sipas mbishkrimit mbi hajat, fasada ballore është e rregulluar në vitin hixhri 1321(1903).

Shtëpia e familjes Pomaku

Është ndërtuar gjatë shek. XVIII. Shtëpia është dykatëshe. Ndërtesa është ndërtuar me kombinim të gurit në përdhese dhe me qerpiç dhe dru në kat. Në katin përdhese gjenden kuzhina me oxhak, hapësira për ruajtjen e ushqimit dhe veglave të punës. Lidhja me katin e parë realizohet nëpërmjet dy lidhjeve, shkallëve të brendshme nga druri që lidhin përdhesen me katin, dhe shkallëve të jashtme nga guri që gjenden në fasadën lindore.

Teqeja e Kaderive

Është themeluar më 1646 nga Sheh Hasan Horosani. Teqeja është ndërtuar pak më vonë, në vitin 1655. Teqeja përbëhet nga hajati i madh dhe dy dhoma për kryerjen e ceremonive fetare. Ndërtimi i kësaj teqeje lidhet me një legjendë, sipas të cilës Hasan Baba nga Shkupi e gjuajti një gur, i cili arriti në Prizren dhe aty ku ra guri, Hasan Baba e ndërtoi teqenë. Në teqe ka shumë eksponate, si: mjete rituali, armë, veshje e fotografi të vjetra.

Tyrbja e Dallgën Babës

Tyrbja e Dallgën Babës gjendet në Lagjen Ortakolli, me pjesën ballore të orientuar kah lindja. Tyrbja gjendet përballë xhamisë së re “Antalia”, në Lagjen Ortakolli. Është monument sakral i padatuar. Të sëmurët besojnë në fuqinë shëruese mbinatyrore të Dallgën Babës. Ata vijnë në tyrbe dhe bëjnë lutje për shërim. Nëse shërohen kthehen përsëri dhe sjellin monedha, qirinj apo dhurata të ndryshme.

Tyrbja e Kalender Babës

Tyrbja e Kalender Babës gjendet në Lagjen Terzimëhalla.  Tyrben e vizitojnë më së shumti njerëzit që ankohen nga dhembja e kokës. Nga tyrbja të sëmurët marrin pak dhe, dhe e vënë nën jastëk. Të nesërmen, ata e kthejnë dheun në tyrbe. Nëse shërohen, të sëmurët sjellin monedha, qirinj ose ndonjë dhuratë tjetër.

Tyrbja e Musa Efendiut

Tyrbja e Sheh Kutub Musa Efendiut gjendet në Lagjen Tabakhane. Teqeja është e ndërtuar në vitin 1575, ndërsa tyrbja më vonë. Të sëmurin, tri herë e përshkojnë me tespihet e shenjtorit. I sëmuri merr nga tyrbja një enë me ujë dhe e pi atë në shtëpi. Besohet se nuk është mirë që uji të derdhet në tokë. Nëse i sëmuri shërohet, ai vjen përsëri dhe sjell monedha, peshqirë, qirinj etj.

Xhamia e Ahmed Beut

Xhamia e Ahmed Beut gjendet në Lagjen Tabakhane, në pjesën perëndimore të Prizrenit.  Ndërhyrjet joprofesionale të realizuara ndër vite kanë reduktuar vlerat origjinale të kësaj xhamie. Struktura e mureve, tavanet, minarja dhe gurët mbivarrorë janë elemente të cilat janë ruajtur.

Xhamia e Çatip Sinanit

Xhamia e Çatip Sinanit-Levisha gjendet në pjesën lindore të qytetit.  Lagjja ku ndodhet xhamia ekziston prej vitit 1591 dhe ka qenë njëra ndër lagjet më të mëdha të qytetit. Sipas mbishkrimit pranë derës së jashtme të xhamisë, xhaminë e ndërtoi Qatip Sinani (KATIP SINAN) në vitin 1577, ndërsa sipas mbishkrimit (kitabesë) e cila gjendet në derën e brendshme të xhamisë, xhamia është meremetuar në vitin 1311 hixhri,1893-1894.

Xhamia e Çohaxhi Mahmudit

Xhamia e Çohaxhi Mahmudit gjendet në Lagjen Tabakhane, në pjesën perëndimore të Prizrenit. Sipas mbishkrimit në hyrje të saj, ndërtimin e xhamisë e ka filluar Çohaxhi Mahmud Çelebiu gjatë shek. XVIII.  Minarja e vjetër është element i vetëm origjinal i ruajtur nga ky monument i trashëgimisë kulturore.

Xhamia e Emin Pashës

U ndërtua në vitin 1931. Është imitim i xhamisë së Sinan Pashës, me përmasa më të vogla. Motivet e pikturimit të mureve të brendshme janë të natyrës florale ku dominon ngjyra e kaltër dhe e verdhë. Në oborrin e xhamisë janë varrezat e vjetra, me gurë mbivarror nga mermeri, ku gjendet edhe varri i Emin Pashës. Përpos vlerës historike, artistike e shkencore, ka edhe vlerë shoqërore: Emin Pasha i ka takuar familjes aristokrate Rrotulli që ka pasur ndikim të madh në rrjedhat historike të Prizrenit gjatë shek. XVII-XIX.

Xhamia e Haxhi Ramadanit

Xhamia e Haxhi Ramadanit gjendet në zonën historike të Prizrenit. Është ndërtuar nga Haxhi Ramadani gjatë shek. XVII. Që nga koha kur është ndërtuar e deri më tani ka kryer funksionin fetar si xhami e lagjes. Minarja dhe kroi i gurit në murin rrethues janë elementet e pakta origjinale të mbetura nga ky monument i trashëgimisë kulturore.

Xhamia e Iljaz Kukës

Është ndërtuar fillimisht si mesxhid (faltore), më 1535, nga Kukli beu. Nipi i tij, Mehmet beu, ndërton më vonë minaren dhe objektin ia kushton gjyshit, Ilijaz Kukit. Ka planimetri drejtkëndëshe me hajat. Pullazi është kulm katërujorë i mbuluar me tjegulla, ndërsa nga ana e brendshme është kupola, e cila ka qenë e dekoruar me piktura murale. Në oborr gjenden edhe disa varre të vjetra, dy prej tyre të punuara me mermer të profiluar dhe kanë dekorime të pasura me motive gjeometrike e florale në sënduk dhe në gurët vertical.

Xhamia e Myderriz Ali Efendiut

Është ndërtuar më 1581. Ka planimetri drejtkëndëshe;në anët veriore dhe jugore gjendet hajati i gjysmë mbuluar. Minarja është e inkorporuar në planimetri të xhamisë dhe gjendet në këndin lindor. Ka bazë gjashtëkëndëshe dhe është e suvatuar nga jashtë. Ndërtesa është e mbuluar me kulm katërujorë, të mbuluar me tjegulla argjile. Struktura e mureve është e ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqeror. Në oborrin e xhamisë janë edhe disa varreza, ndërsa në anën veriore është varri i Myderriz Ali Efendiut. Xhamia pëson dëme të mëdha nga zjarri në vitin 1963 dhe nga intervenime të shumta gjatë kohës.

Xhamia e Sejdi Beut

Xhamia e Sejdi Beut gjendet në zonën historike të Prizrenit, në bregun jugor të lumit Lumëbardhi  Në mungesë të mbishkrimit të ndërtimit, besohet se xhamia është ndërtuar ndërmjet viteve 1642-1644, periudha kur Sejdi Beu ka qenë vali - guvernator i Egjiptit.   Pikturat murale në enterier të punuara me teknikën arabeske me motive florale, gjeometrike dhe pjesë nga Kurani janë vizatuar në vitin 2012 me një trajtim të lartë artistik. Nga viti 1994 e deri më sot janë kryer disa ndërhyrje, sikurse ndërtimi i anekseve, duke degraduar vlerat autentike dhe duke penguar pamjen e xhamisë nga të gjitha anët.

Xhamia e Terxhyman Iskenderit

Xhamia e Terxhyman Iskender Beut gjendet në pjesën verilindore të Prizrenit. Ajo është ndërtuar para vitit 1795 nga ana e Terxhyman Iskender Beut, i cili ka ardhur në Prizren nga Horosani. Gjatë viteve xhamia ka pësuar ndërhyrje joprofesionale të shumta me qëllim rinovimi dhe riparimi, si dhe janë ndërtuar anekse në oborr, duke humbur një pjesë të vlerave origjinale të saj.

Xhamia e Terzi-Mëhallës

Xhamia gjendet në Lagjen e Terzive. Sipas mbishkrimit në derën hyrëse, e shkruar në gjuhën arabe, xhamia është ndërtuar në shekullin XVIII, saktësisht në vitin 1721 nga Terzi Memishi. Pjesa e hajatit të xhamisë është rindërtuar në fund të shek. XIX. Posedon vlera historike si monument fetar islam i shekullit XVIII si dhe ka vlera shoqërore, sepse është në shërbim të komunitetit islam të qytetit.

Shtëpia e Shuaip Pashës

U ndërtua në fillim të shek. XIX nga Shuaip Pashë Spahiu, lider i degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ka vlera arkitektonike, pamje dominante në qendër të qytetit. Ka përdhesen dhe katin; në përdhese gjenden kthinat e magazinave, në mes janë nyjat higjienike, kurse në kat janë dhomat, hajati dhe çardaku i mbuluar. Në mars 1999 shtëpia u dogj në tërësi. U rindërtuar nga themeli në vitin 2012.

Shtëpia e Gani Dukagjinit

I takon shek. XIX dhe i përket arkitekturës klasike vendore. Shtëpia përbëhej prej dy pjesëve, pjesa e haremit dhe e mysafirëve, në vitin 1952 u rrënua pjesa e përparme, ajo e mysafirëve. Shtëpia e cila ekziston sot ka pësuar transformime me ndarjen në dy pjesë, por në tërësi ka ruajtur vlerat e së kaluarës.

Vlashnja

Është lokalitet arkeologjik, që gjendet në krahun e djathtë të rrugës Prizren – Zhur, rreth 6 km në perëndim të Prizrenit. Në këtë lokalitet është dëshmuar vazhdimësia e jetës gjatë disa periudhave kohore. Materiali arkeologjik i zbuluar në këtë lokalitet nxori në pah fragmente të shumta të enëve nga argjila e pjekur, vegla pune nga guri, monedha, etj.

Kalaja e Korishës me Kishën Paleokristiane

Janë gjetur shumë fragmenteve qeramike të përdorimit të përditshëm, tjegullave solene, etj, të periudhës romake dhe Antikitetit të Vonë. Brenda rrafshit të kalasë është zbuluar edhe Bazilika Paleokristiane. Është ndërtuar në shek. VI. Kisha sot është në një gjendje të mirë, muret ruhen afërsisht 1 m mbi nivelin e tokës.

Katedralja Zonja Ndihmëtare

Është ndërtuar më 1870 nga arqipeshkvi i Shkupit, Dario Bucciarelli. Në shek. XX iu shtua edhe kambanorja (sahatkulla), e cila u ndërtua nga Tomas Gansovi, prift dhe arkitekt arbëresh. Bazilikë me tri anijata. I takon stilit neoklasik latin, katoliko-shqiptar. Ka shumë afreska murale, me tematikë biblike, në pjesën e anijatës qendrore është e pikturuar Zonja e cila paraqet qytetarët e Prizrenit me veshje karakteristike të kohës. Ka një portret të Gjergj Kastriot – Skënderbeut dhe një të Janosh Huniadit. Portreti i Skënderbeut është portreti i vetëm i tij që figurativisht ai paraqitet në pozitën ballore.

Kisha e Shën Shpëtimtarit

Është ndërtuar mes viteve 1333-1335. Më 1836 cincarët (vllehët) filluan me ndërtimin e kishës së re, e cila e mori emrin kisha e Shën Trinisë, me ç’rast iu shtuan muret më të larta dhe kambanorja. Kjo kishë u shfrytëzua nga cincarët deri më 1912. Më 1912 - 1999 kisha shfrytëzohej vetëm gjatë festave religjioze. Është kishë e stilit bizantin. Duke parë pozitën e saj dominonte, stilin dhe trajtimin arkitektonik, kjo kishë është njëri ndër monumentet më karakteristike dhe më me vlerë të Prizrenit.

Kisha Episkopale e Shën Gjorgjit

Gjendet në qendër të Prizrenit e cila është ndërtuar në vitin 1887 mbi themelet e një kishe më të hershme. Në këtë hapësirë gjendet edhe një kishë e vogël e cila njihet me emrin Kisha e Shën Gjorgjit ose Runovicit dhe i përket shek. XIV-XVI

TEQEJA E TARIKATIT RUFAI

U themelua më 1892 nga Haxhi sheh Hasan Hysniu nga Sanxhaku. Në vitin 1915 teqenë e rrënojnë bullgarët, më 1938 rindërtohet nga Sheh Hyseinhilmiu Shehu. Në vitin 1972 në të njëjtin vend ndërtohet një teqe bashkëkohore nga Sheh Xhemajliu. Karakteristikë e këtij tarikati është se këtu, më 22 mars (dita e Sulltan Nevruzit), çdo vit, kryhet ceremoniali i ziqrit bashkë me ixhrën, në prani të një numri të madh pjesëtarësh të këtij tarikati dhe të qytetarëve kurioz.

KALAJA E EPËRME

Përbëhet nga 4 kulla, prej të cilave 3 janë të njëjta e më të vogla, kurse ajo e hyrjes është më e madhe dhe dykatëshe. Në të është zbuluar edhe Kisha e Shënkollit. Kështjella është shumë më e hershme se Manastiri I Kryeengjëjve dhe ka lidhje kronologjike me Kalanë e Prizrenit. Është përdorur edhe në kohën osmane, si stacion i batalioneve të ushtrisë. 

KISHA E SHËN PJETRIT, KABASH

Nis të ndërtohet në fundin e shek. XI dhe vazhdon të plotësohet deri në shek. XIV, kur merr formën e plotë. Quhet ndryshe edhe Kisha e Keqe, për shkak të terrenit të vështirë. Është ndërtuar në faqen vertikale të një shkëmbi, e një pjesë e saj edhe hyn në shkëmb. Është ndër kishat më të bukura si për nga arkitektura, po ashtu edhe nga madhështia e saj. 

TEQEJA E TARIKATIT SAADI

Është themeluar në vitin 1500 nga Sheh Sylejman Axhizi. Ndryshe quhet edhe Hisar Baba, sipas emrit të kodrës së kalasë nën të cilën ndodhet ajo. Tyrbja është në formë të katërkëndëshit kënddrejtë dhe është e ndërtuar me qerpiç. Në pjesën e parme ka dy dritare me parmakë druri dhe prapa një kamare. Rreth tyrbes ka disa varreza me mbishkrime. Në tyrbe ka nëntë varre me kuburë, në mes të tyre ndodhet varri i sheh Sylejman Efendiut, i cili është i mbuluar me dhurata nga njerëzit.

TYRBJA E YMER BABËS

Tyrbja e Ymer Babës ndodhet në fshatin Lez e njohur edhe si Lez Baba. Tyrbja gjendet nën malin Sharr, afër malit Cylen. Tyrbja është e vogël dhe ka formë të katërkëndëshit kënddrejtë, e ndërtuar me qerpiçë.

KULLA E TAHIR RYSHITIT, KOJUSHË, (HAS)

Ndërtesa është dykatëshe, e ndërtuar me gurë të lidhur me llaç. Shkallët e kullës janë të ndërtuara me gurë dhe gjenden jashtë. Në katin përdhese si dhe në kat, kulla ka nga një derë e një dritare të rrethuara me qemer guri, në pjesën e sipërme në formë harkore. Kulmi i kullës është i mbuluar me tjegulla të rrafshëta. 

KULLA E RESHAT HOXHAJT, (ZHUR, PRIZREN)

Është dykatëshe, e ndërtuar prej gurëve, të lidhur me llaç. Në brendi të kullës, përveç odës, dhomat tjera nuk e kanë ruajtur origjinalitetin e tyre, duke u përshtatur e transformuar për nevojat e banorëve. Enterieri i odës e ka ruajtur origjinalitetin e saj. Ajo brenda ka elemente të punuara nga druri me një nivel të lartë artistik. Oda ka elemente si: tavanin, oxhakun, dollapët dhe banjën. 

SHTËPIA E AHMET E SHYQRI REKATHATIT

Është ndërtuar në shek. XIX, përkatësisht në vitin 1886 si shtëpi familjare. Është shembull i arkitekturës orientale-vendore, nën ndikimin e arkitekturës austro-hungareze, gjë që vërehet sidomos në fasadën ballore. Përveç dekorimeve në eksterier, ndërtesa është mjaft e pasur me elemente etnografike edhe në enterier.

SHTËPIA E ABDURAHIM MYTFIUT

Iu takon viteve 1859-1860. Shtëpia sot është e ndarë në dy pjesë, por në enterier vazhdon të ruajë objektet folklorike të kohës së ndërtimit. Është shtëpi familjare, vazhdon të banohet dhe e ka ruajtur origjinalitetin e vet deri në ditët tona.

Sahat Kulla - Muzeu Arkeologjik

Muzeu Arkeologjik është vendosur në hapësirat e hamamit, të ndërtuar në fundin e shekullit XV, respektivisht në vitin 1498. Ndërtuesi i këtij hamami supozohet të jetë Shemsudin Ahmed Beu. Ky objekt është përdorur edhe si hamam. Muzeu Arkeologjik ka vlerë të jashtëzakonshme, pasi që paraqet një ndërtesë të veçantë me dy tipologji.  Përveç vlerës arkitektonike dhe artistike, në muze prezantohen edhe eksponatet me vlerë të lartë historike dhe shkencore. Për herë të pare objekti i Sahat Kullës si Muze Arkeologjik hapi dyert e saj për vizitorë në vitin 1975.

Kisha e Shën Gjorgjit Sindokale

Është ndërtuar mes viteve 1856 - 1887; është kishë trianijatëshe, e ndërtuar me gur të gdhendur të lidhur me llaç gëlqeror, kurse pjesa e kambanores është ndërtuar me tulla. Ka një themel prej 30 x 20 m, dhe lartësia e saj arrin deri në 13.80 m. I përket tipit të bazilikës me kupolë qendrore. Në enterier, në anën lindore gjendet altari në formë gjysmëharkore, para altarit gjendet naosi i cili ndahet nga narteksi me një shkallë. Kisha ka një peizazh të jashtëzakonshëm në oborrin e saj, të përbërë nga parku me shumë kolorit nga flora.